Një krim i rëndë brenda familjes ka tronditur qytetin Chiari, në provincën e Brescias në Itali. Një grua shqiptare, 39 vjeçe, ka humbur jetën në rrethana tragjike, ndërsa i dyshuari kryesor për vrasjen është djali i saj 21-vjeçar, i cili është vetëdorëzuar në polici.
Meleqe Lusha u gjet pa shenja jete në apartamentin ku banonte së bashku me të birin, Eduart Xhani. Sipas të dhënave të para të hetimit, gruaja dyshohet se është goditur disa herë me një mjet prerës gjatë orëve të natës. Në trupin e saj janë konstatuar rreth dhjetë plagë me thikë, kryesisht në pjesën e sipërme.
Pas ngjarjes, 21-vjeçari dyshohet se është larguar nga banesa, duke kaluar disa orë në rrugë, përpara se të merrte vendimin për t’u paraqitur në një stacion të Karabinierëve në qytetin e Cremonas.
Aty, përballë efektivëve, ai ka shqiptuar fjalët që zbuluan krimin: “E kam vrarë nënën time, do ta gjeni në shtëpi”.
Deklarata ka vënë menjëherë në lëvizje autoritetet italiane, të cilat kanë shkuar në banesën e familjes dhe kanë konstatuar vdekjen e 39-vjeçares.
Megjithatë, pas pranimit fillestar të krimit, i riu nuk ka dhënë shpjegime të mëtejshme. Sipas mediave italiane, ai ka qëndruar kryesisht në heshtje gjatë komunikimit me hetuesit, duke mos sqaruar se çfarë mund ta ketë shtyrë drejt këtij veprimi ekstrem.
Me urdhër të prokurores së Brescias, Laura Matrone, ndaj Eduart Xhanit është vendosur masa e ndalimit. Rreth 12 orë pas paraqitjes së tij në polici, 21-vjeçari është transferuar në institucionin penitenciar Canton Mombello.
Ndërkohë, specialistët e kriminalistikës kanë vijuar ekzaminimet në vendngjarje, duke mbledhur prova që mund të ndihmojnë në rindërtimin e momenteve të fundit të jetës së viktimës.
Kush është i riu shqiptar që dyshohet për krimin?
Eduart Xhani kishte lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës, dhe ishte rritur në Itali. Ai kishte ndjekur shkollën në Institutin Einaudi, ndërsa së fundmi ishte i punësuar në një fabrikë të zonës.
Ngjarja ka shkaktuar habi dhe tronditje mes personave që e njihnin, pasi 21-vjeçari përshkruhej si një i ri i qetë, i përgjegjshëm dhe i përkushtuar ndaj punës.
Dennis Beqiri, drejtues i Shoqatës së Shqiptarëve në Chiari, ka treguar se e njihte personalisht Eduartin, pasi ai kishte zhvilluar një praktikë shkollore në agjencinë e tij imobiliare.
Sipas Beqirit, i riu kishte lënë gjithmonë përshtypje pozitive, duke u dalluar për korrektësinë, sjelljen e mirë dhe seriozitetin.
“Eduarti ishte një djalë shumë i mirë, i edukuar dhe serioz. Ishte shembull për komunitetin. Gjithmonë vinte në kohë, ishte i buzëqeshur dhe korrekt. Isha i bindur se do të kishte një të ardhme të suksesshme”, është shprehur ai.
Tragjedia ka prekur thellë edhe komunitetin shqiptar në Brescia, ku familja njihej prej vitesh.
Për hetuesit italianë, pyetja kryesore mbetet ende pa përgjigje: çfarë ndodhi mes nënës dhe djalit gjatë asaj nate dhe cili ishte shkaku që çoi në krimin fatal?
Autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e vrasjes, ndërsa deri tani nuk është bërë publik asnjë motiv i konfirmuar.
