Një incident i pazakontë është regjistruar në ambientet e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku një armë zjarri dyshohet se është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, duke vënë në lëvizje policinë dhe grupin hetimor.

Sipas Policisë, në gjendje të lirë është proceduar penalisht shtetasi G. N., 54 vjeç. Ai kishte shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore, kur, sipas dyshimeve paraprake, nga çanta që mbante me vete i ka rënë një armë zjarri, e dyshuar pistoletë. Rënia e armës ka shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme.

Nga hetimet e para ka rezultuar se, pas ngjarjes, arma nuk është gjetur në vendin ku ndodhi incidenti. Për këtë arsye, policia ka shpallur në kërkim djalin 18-vjeçar të 54-vjeçarit, i cili dyshohet se e ka fshehur armën me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Në kuadër të hetimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një punonjës i Spitalit Rajonal të Lezhës, shtetasi A. V., 54 vjeç, me detyrë punonjës i sektorit të Teknologjisë së Informacionit (IT). Sipas policisë, ai dyshohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Grupi hetimor vijon veprimet për të sqaruar dinamikën e incidentit, për të gjetur armën e zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.