Policia e Tropojës ka nisur kërkimet për gjetjen e një 26-vjeçari, që u denoncua nga nëna e tij si i humbur në rrethana e motive ende të paqarta.
Burime zyrtare thanë se bashkë me autoritetet e Kosovës, si dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, po kontrollohet i gjithë territori ku ka humbur i riu, në vendin e quajtur “Kamenicë”. Denoncimi është bërë ditën e sotme, teksa kërkimet po kryhen edhe me dron nga ajri.
“Sot, në Komisariatin e Policisë Tropojë, kanë kallëzuar familjarët e shtetasit F. T., 26 vjeç, banues në Bajram Curri, se dje, 26-vjeçari, gjatë kohës që ka qenë duke mbledhur gështenja bashkë me nënën e tij, në vendin e quajtur ‘Kamenicë’, është larguar dhe ka humbur kontaktet me të”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë vendore.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, ekipin e kërkim-shpëtimit dhe banorët e zonës, po vijojnë kontrollet intensive në zonë, nga toka dhe me dron, për gjetjen e tij.