Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së djeshme në Kamëz, ku u vra me thikë 40-vjeçari Hajdar Ismajlgeci. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, i cili fillimisht kishte qenë duke konsumuar pije me viktimën në një lokal. Pas daljes nga lokali, mes tyre shpërtheu një konflikt i çastit për motive ende të paqarta, që përfundoi tragjikisht.
Autori e goditi me thikë Ismajlgecin, duke i shkaktuar plagë fatale, dhe më pas u largua në këmbë nga vendi i ngjarjes. Banorët e zonës kanë deklaruar se e panë autorin të përgjakur, gjë që tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve dhe ndihmoi hetuesit në identifikimin e tij.
I dyshuari u kap në gjendje të dehur dhe ende nuk ka dhënë dëshmi për ngjarjen, ndërsa pritet të pyetet më vonë. Ndërkohë, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e tij para dhe pas krimit.
Trupi i pajetë i 40-vjeçarit u gjet rreth orës 20:10 të mbrëmjes së djeshme i shtrirë në rrugë, me plagë të rënda nga arma e ftohtë që i morën jetën.