Lezhë
Dy shkolla të mesme të Rrethit të Lezhës kanë qenë në vëmendjen e gazetarëve investigativë të emisionit “Fiks Fare”. E para ka qenë shkolla e mesme “Hydaje Lezha”, e cila u inaugurua nga Kryeministri Sali Berisha në ditën e parë të hapjes së sezonit të vitit të ri shkollor. Në këtë shkollë është nxjerrë një vendim nga bordi i shkollës, që nxënësit e saj duhet të paguajnë nga 2000 lekë për regjistrimin e tyre. Të pyetur nga ana e gazetarëve të “Fiks Fare”, nxënësit e shkollës janë shprehur “se pagesa prej 2000 lekësh është kërkuar nga ana e mësuesve, për regjistrimin nxënësve të vitit të parë”.
Shumica e nxënësve shprehen se marrja e parave me detyrim u është bërë pa iu bërë të ditur arsyen e mbledhjes së kësaj shume. Drejtuesit e shkollës kanë vendosur në xhamat e shollës edhe lajmërimin për mbledhjen e kësaj “takse”.