Zanatçinjtë
Part-time për parauniversitarët, vende për 8 mijë nxënës
Shpresa Mezini
Shkollat profesionale në vend, siç është “Asim Vokshi”, shkolla e mesme e gjuhëve të huaja në Tiranë, hoteleri-turizmi, shkolla e ndërtimit “Kolë Idromeno”, Shkodër, “Salih Ceka” në Elbasan apo “Beqir Çela” në Durrës sa vijnë e janë më të kërkuara nga të rinjtë. Këtë e vërteton fluksi i të regjistruarve në degët si hidraulik, elektrik, ndërtim, agrobiznes apo teknologji ushqimore, të cilat presin për çdo vit një numër të konsiderueshëm nxënësish.
Ndonëse viti i ri shkollor ka nisur më datë 10 shtator, regjistrimet në shkollat e arsimit profesional vijojnë ende.
Dorina Rapti, drejtoresha e Arsimit Profesional në Ministrinë e Arsimit sqaron se procedurat e regjistrimeve njësoj si programet shkollore në shkollat profesionale janë të ndryshme në raport me ato të shkollave të mesme të përgjithshme. Kështu, nisur nga kjo logjikë, procedurat e regjistrimit në shkollat e zanatçinjve nuk kanë përfunduar ende. “Regjistrimet në sistemin full time në arsimin profesional do të përfundojnë në fund të muajit shtator, ndërsa sistemi part time i po këtij arsimi do të përfundojë 15-ditëshin e parë të muajit tetor”, tha Rapti. Duke iu referuar të dhënave të herëpashershme që grumbullon Drejtoria e Arsimit Profesional në MASH, rezulton se numri i kandidatëve që u drejtohen këtyre institucioneve sa vjen e rritet, shifër që sipas specialistëve të arsimit, përputhet me politikat që ndjek ky institucion në përgatitjen e zanatçinjve të rinj. “Procesi i regjistrimit për këtë vit të ri shkollor nuk ka përfunduar ende, kështu që nuk mund të përcaktoj numrin e të regjistruarve në total, por duke iu referuar të dhënave të deritanishme rezulton se sivjet numri i tyre është rritur me të paktën 15% më shumë. Numri i nxënësve të regjistruar në arsimin profesional vjet arriti në 7 mijë e 100 nxënës, ndërsa sipas parashikimeve sivjet këto institucione do të presin në total rreth 8 mijë të rinj”, theksoi drejtoresha e AP-së në MASH.
Ajo theksoi se një nga risitë e këtij viti është edhe përfshirja e 15 teksteve të reja profesionale për agrobiznes, ekonomi bujqësore dhe turizëm, degë për të cilat tregu i punës është i interesuar.
Strategjia
“Interesi i të rinjve për të ndjekur shkollat profesionale në vend, nga viti në vit është rritur dhe për këtë arsye vjet u hapën 5 shkolla të tjera të tilla. Interesi i madh bëri që një vit më parë në këto shkolla, të përfshihej edhe sistemi me kohë të pjesshme, që të interesuarit përveç shkollës të kenë mundësi edhe të punojnë. Në këtë sistem vetëm vitin e kaluar u regjistruan rreth 500 të rinj”, tha Rapti.
Ajo shton se për nxitjen e të rinjve drejt shkollave profesionale është menduar që ata të njihen me to jo vetëm nëpërmjet kurikulës së shkollës 9-vjeçare, por edhe që një pjesë e tyre të përfitojë bursa nga shteti. Në kurrikulën e arsimit 9-vjeçar, por sidomos në klasat e nënta është futur lënda e re, moduli i ri i edukimit për karrierë, i cili u krijon mundësi nxënësve dhe klasave të nënta për të njohur profesionet për të njohur mundësitë që ofrohen për kualifikim për të lidhur shkollën e mesme profesionale me shkollën 9-vjeçare. Është një modul që është pritur mirë nga nxënësit. Gjithashtu, për të mbështetur nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, Ministria e Arsimit i ka mbështetur me bursa”, sqaroi Rapti. Ndërkohë, sipas saj, kushtet për të fituar bursë, janë jo vetëm për nxënësit që vijnë nga radhët e familjeve të varfra, por dhe për ata që zgjedhin degë, të cilat nuk preferohen, por që në tregun e punës janë të nevojshme.
Bursat
Pagesë për konviktin dhe transportin
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, premtoi një vit më parë se do të mbështesë financiarisht të gjithë nxënësit që diplomohen në arsimin profesional në vendin tonë. Duke iu referuar këtij premtimi Rapti bën me dije se mbështetja e Ministrisë së Arsimit në këtë rast nënkupton dhënien e bursave për qëndrimin në konvikte dhe pagesën e transportit për nxënësit e Arsimit profesional që nuk banojnë pranë shkollës.
“Do të mbështesë financiarisht, nëpërmjet kredive të buta të diplomuarit në këto shkolla, për të hapur biznese.
Do të mbështesë bizneset me asistencë teknike dhe trajnimin e mëtejshëm të tyre, edhe në kuadër të strategjisë së të mësuarit gjatë gjithë jetës”, sqaroi drejtoresha e AP-së në MASH.