Tragjedia e atentatit me armë zjarri në Shkodër është thelluar më tej. Një nga të plagosurit ka ndërruar jetë në spital, duke e çuar në dy numrin e viktimave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Viktima e dytë është identifikuar si Geridon Kraja, i cili u qëllua së bashku me të tjerë në breshërinë e kallashnikovit të hapur mëngjesin e së dielës pranë shkollës “Kole Idromeno”.
Kraja iu shtua listës së viktimave, ku fillimisht humbi jetën Armando Pali, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Nga atentati mbetën të plagosur gjithashtu Erogen Vaso (i njohur edhe si Brajoviq) dhe një grua që punonte si kamariere në lokalin ku ndodhi sulmi.
Policia ka konfirmuar se autori i dyshuar, Rakip Gila, 28 vjeç, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.