Monika Kryemadhi ka vijuar kundërshtimin e provave të paraqitura nga SPAK, në çështjen kundër saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta. Teksa pretendon se provat ndaj tyre janë marrë në mënyrë të paligjshme duke goditur vlefshmërinë e tyre, Kryemadhi shprehet se mesazhet e gjetura në telefon me Ëngjëll Zeqon janë nxjerrë nga konteksti dhe se nuk nënkuptojnë atë që prokuroria pretendon.
Diskutimet në sallën e gjyqit:
Kryemadhi: E kemi lënë në faqen 46 të akuzës. Jam e detyruar të bëj një analizë shkencore, ku akuza bën interpretime të ndryshme. Nga komunikimi rezulton vetëm kjo fjali: “U firmos dhe u shpërnda te të gjithë ministrat.” Shatku thotë: “Urime.” Sipas akuzës, ky SMS që u shpërnda tek të gjithë ministrat quhet provë. Por kjo gjë nuk u miratua, atëherë akuza nuk duhet të ekzistojë. Ky debat nuk ishte mbi favorizimin e Unifi, siç pretendon akuza, por për kompetencat. Mesazhi i 11 prillit nuk përmban urdhër politik. Përkundrazi, akuza ka shkëputur vetëm një pjesë. Ka komplet nxjerrje nga konteksti. Në 19 qershor, Shatku çon SMS: “Ke folur gjë me Ëngjëllin?” Shatku bën një pyetje. A kishte përgjigje nga unë? Se në telefonin tim janë disa Ëngjëlla. A ka kryer hetim akuza se kush është Ëngjëlli dhe a ka folur Kryemadhi me të?
Akuza pretendon se më vonë Ëngjëll Zeqo më nis raport. Më tej, akuza i referohet komunikimeve mes Shatkut dhe Darien Faber.
Kryemadhi: Të gjithë thonë: “Të kishim shkopin magjik”, po faktikisht shkopin magjik e kishin ca të tjerë. Dokumentet mbështesin tezën se Ardian Shatku e ndiqte vetë komunikimin me investitorët.
