Socialistët duket se kanë vendosur të shkarkojnë Arben Malajn nga Banka e Shqipërisë, duke mos e rizgjedhur.

Vendimi i papritur, ashtu siç në fakt ishte edhe emërimi i tij në këtë post, ka shkaktuar reagime të shumta.

Per momentin nuk ka reagime nga mazhoranca për arsyet e shkarkimit të tij të mundshëm, por muajt e fundit, Malaj ishte bërë shumë agresiv ndaj mazhorancës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

Vetë Veliaj zbuloi në një intervistë para pak kohësh, se burimi i sulmeve të ish- deputetit, ishte refuzimi i kryebashkiakut që t’i jepte një leje ndërtimi, e cila sipas tij, rezultonte në kundërshtim të plotë me ligjin.

Familjea Malaj, më konkretisht vëllai i tij, Basir Malaj, ka pretenduar një leje ndërtimi për pallate në zonën e Mjull-Bathores.

Siç lexohet në shkresën që mban datën 17 janar, vëllai i Arben Malajt, Basri Malaj, i ka dërguar kryebashkiakut Veliaj një letër, e cila nis me vlerësimet më të larta për punën e Veliajt në Tiranë, e më pas shpreh kërkesën e tij për marrjen e një leje ndërtimi në tokë bujqësore, konkretisht ullishte, në zonën e Mjull-Bathores.

Ndër të tjera, në kërkesë Basri Malaj kërkon që Bashkia e Tiranës ta kthejë nga tokë bujqësore në një truall ndërtimi.

"Fillimisht dëshiroj t’ju falenderoj për angazhimin dhe përpjekjet tuaja për ta bërë qytetin tonë jo vetëm një qytet modern, por me mundësitë dhe lehtësitë që krijon për investim dhe pune.

Shqetësimi që po ju paraqes është i të gjithë banorëve të kësaj zone, një pjesë e tyre emigrantë të cilët pengohen të kthehen dhe të investojnë në pronat e tyre në këtë zonë.

Personalisht, në cilësinë e pronarit të pasurisë së paluajtshme prej 3000m2, regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me numër 546/2, Volumi 8, Faqe 205, Z.K.2704. Fshati Mjull Bathore, Fark, Tiranë, zëri kadastral "Ullishte", parashtroj kërkesën time si më poshtë: Bazuar në parashikimet dhe përcaktimet e akteve ligjore dhe nënligjore, si: Ligji nr.8405, datë 17.9.1998 "P.r urbanistikën" i ndryshuar, Vendimi KM nr.722 datë 19.11.1998 "Për miratimin e rregullores se urbanistikës" i ndryshuar, Udhëzimi MPVD nr.1, datë 24.1.2001 "Për funksionimin e KRRT-ve", Udhëzimi MRRTT nr.4, datë 11.8.2004 "P, mënyrën e ushtrimit të kompetencës për planifikimin e territorit nga njësitë e qeverisjes vendore", Ligji nr.10 119 datë 23.4.2009 "Për planifikimin e territorit" i ndryshuar, kërkoj: (i) lejimin e vendosjes së ndërtimeve provizore në pronësinë time, në përputhje me kufizimet strikte parashikuara për ketë zonë, deri ndryshimin e destinacionit të tokës dhe lejimit , ndërtimeve të përhershme;

(ii) Ndryshimin e zërit kadastral të sipërfaqes prej 3000m2, në pronësinë time, nga "Ullishte" në zërin kadastral "Truall", me qëllim dhënien e mundësisë për ndërtimin e objektive të paluajtshme, sipas koefiçientit të vendosur në zonën ku ndodhet kjo pasuri"," thuhet në letrën që Malaj i ka dërguar kryebashkiakut Veliaj.

Ai e mbyll letrën duke shprehur konsideratat:

"Banorët e zonës besojnë shumë në integritetin tuaj se kjo zonë nuk do të lejohet të zhvillohet për interesa abuzive të investitorëve aktualë apo potencialë në këtë pjesë të Tiranës. Mbetem me shpresë dhe besim ne përmbushjen e kësaj kërkese", thekson Malaj.

Pasi kjo leje nuk iu dha, Malaj nisi sulmet mediatike ndaj qeverisë dhe Veliajt.

Duket se ky lloj shantazhi, ka bërë që mazhoranca të kërkojë shkarkimin e tij.(TemA)