Teknologjia po zë gjithnjë e më shumë vend në jetën e përditshme dhe në procesin mësimor, e si pasojë, gjithnjë e më pak fëmijë praktikojnë shkrimin me dorë.

Mësuesit ngrenë shqetësimin se mungesa e një rregulli të qartë dhe përdorimi i pajisjeve digjitale po ndikojnë drejtpërdrejt në humbjen e kësaj aftësie bazë.

“Në arsimin parashkollor nxënësit fillojnë të shkruajnë fillimisht me shkronja shtypi. Në arsimin fillor nuk ka rregull nëse nxënësi duhet të shkruajë me shkrim shtypi apo me shkrim dore dhe më pas orientohen drejt shkrimit të shtypit, pasi e shohin si më të lehtë dhe që nuk u shpenzon kohë. Disa nga shkronjat po humbasin dhe nxënësit kanë harruar të shkruajnë shkronjat e mëdha të dorës, si C, E, H…”, thotë Luiza Kërkuti, mësuese e gjuhës shqipe.

Në një kohë kur ekrani po zëvendëson lapsin dhe fletoren, UNESCO ka prezantuar një nismë të re zyrtare për mbrojtjen e shkrimit të dorës, i cili po rrezikohet nga përhapja masive e shkrimit digjital dhe përdorimi i tastierave dhe ekraneve me prekje. Shkrimi i dorës konsiderohet si një element kyç i përcjelljes së dijes brez pas brezi, ndaj sipas UNESCO-s, vlerat e tij duhen mbrojtur.