Një zjarr i fuqishëm përfshiu dy objekte banimi në rrugën “Omaraj” në qytetin e Shkodrës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Të dy ndërtesat u dogjën plotësisht, ndërsa flakët rrezikuan të përhapeshin edhe në banesat përreth. Për fat të mirë, nuk pati persona të lënduar, kjo falë ndërhyrjes së menjëhershme të një qytetari, i cili mes flakëve arriti të nxjerrë një bombol gazi dhe një çift të moshuar nga njëra prej banesave, duke shmangur një tragjedi të mundshme.

Operacioni i shuarjes së flakëve u bë i vështirë për forcat zjarrfikëse, për shkak të rrugicave të ngushta dhe të bllokuara nga automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt. Pavarësisht vështirësive, zjarrfikësit ndërhynë nga dy anë të rrugës për të lokalizuar dhe shuar zjarrin, duke angazhuar 6 automjete dhe 15 efektivë.

Dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi dy objektet e banuara janë shkrumbuar plotësisht. Ekspertët zjarrfikës janë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve për kujdes të shtuar me sigurinë në banesat e tyre, si dhe për respektim të rregullave të parkimit, për të mos penguar ndërhyrjen në raste emergjente.

Njoftimi:
Shkodër/Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Ahmet Haxhija”, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr dhe janë djegur plotësisht banesat e shtetasve B. K., 80 vjeç dhe S. K., 74 vjeç, dhe janë djegur pjesërisht banesat e shtetasve F. K., 68 vjeç, dhe Sh. Z., 75 vjeçe. Nga zjarri nuk ka patur shtetas të dëmtuar.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit.