Një banesë është përfshirë nga flakët dhe është dëmtuar rëndë në lagjen “Sheq i Madh” në Fier.

Zjarri ka rënë rreth orës 11:00 dhe është konstatuar nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në kohë, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe duke shmangur përhapjen e zjarrit në banesat pranë.

Gjatë përpjekjeve për të shpëtuar banesën, pronarja ka pësuar djegie të rënda. Ajo është dërguar në Spitalin Rajonal të Fierit dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore, pritet të transportohet drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

Si pasojë e zjarrit, familja prej katër anëtarësh ka mbetur pa strehë. Familjarët, të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike, kanë bërë apel për ndihmë nga institucionet dhe qytetarët.

Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.