Një banesë në rrugën Shrewsbury Close, në zonën BloxwichWalsall, ka shpërthyer në flakë, duke lënë të plagosur katër persona.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, ndërsa autoritetet britanike dyshojnë se shkak i zjarrit është bërë një rrjedhje gazi nga një bombol brenda shtëpisë.

Policia ka konfirmuar se banesa përdorej si ‘shtëpi bari’ për kultivimin e kanabisit. Në vendngjarje u angazhuan 65 zjarrfikës për të vënë flakët nën kontroll, ndërkohë që hetimet janë ende në vazhdim.

Një shqiptar në Birmingham, i njohur me rrethanat e rastit, tha për Top Channel se dy nga të plagosurit janë shqiptarë nga Tepelena. Njëri prej tyre ka marrë djegie në 30% të trupit, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë, me 60% djegie dhe po trajtohet në spital.

Policia po punon për të dokumentuar tërësisht rastin dhe për të identifikuar të përfshirët në këtë veprimtari të paligjshme.