Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga zjarret në Himarë dhe Fier, pas një nate të vështirë, ku flakët përfshinë disa zona dhe shkaktuan dëme materiale.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se situata tashmë është nën kontroll dhe se nuk paraqet rrezik për banorët apo zonat e banuara. Ndërkohë, strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren për monitorimin e vatrave dhe evidentimin e pasojave.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se bashkitë do të vijojnë verifikimin e dëmeve, ndërsa do të identifikohen edhe rastet që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.
“Himara dhe Fieri kaluan një natë shumë të vështirë mbrëmë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara”, u shpreh Rama.
Ai vlerësoi punën e strukturave të angazhuara në terren, ndërsa procesi i vlerësimit të dëmeve pritet të japë një pasqyrë më të plotë të pasojave të zjarreve.
