Një zjarr i qëllimshëm ka përfshirë një biznes mobilierie në qytetin e Vlorës, ngjarje e cila është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Sipas burimeve policore, rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person i maskuar është filmuar teksa i afrohet objektit dhe thyen xhamin e derës me një çekiç. Më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, autori ka vënë flakën mobilierisë dhe është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Flakët janë vënë re nga një fqinj i afërt, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur në vendngjarje vetëm disa minuta më vonë dhe ka parë se kati i parë i mobilierisë ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë shpejt dhe kanë arritur të shuhen flakët, por dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme. Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar dhe do të përdoren si prova materiale për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
