Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të një zjarrvënieje në fshatin Lekaj të Rrogozhinës, ngjarje që shkaktoi dëme të konsiderueshme në një sipërfaqe toke me pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Sipas uniformave blu, pas marrjes së njoftimit për zjarrin, i cili rrezikonte edhe banesat përreth, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, ndërhynë menjëherë për të vënë flakët nën kontroll.
Nga hetimet paraprake rezultoi se në oborrin e banesës së shtetasit N. U. kishte vatra zjarri, ndërsa një tjetër vatër në pjesën e pasme të banesës dyshohet se u përhap, duke djegur rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të tjera frutore.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në fshatin Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Policia e Durrësit u bën apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
