Qarku
Viti 2015 pritet të jetë i vështirë edhe për Qarkun e Durrësit, si një ndër qarqet më të mëdha në vend. Mungesa e fondeve për paga do të çojë në largime nga puna të një pjese të personelit. Granti i planifikuar nga qeveria për këtë njësi të nivelit të dytë të pushtetit vendor është mjaft i ulët, ndaj parashikohet që të shkurtohen shpenzimet dhe të reduktohen vendet e punës në administratë, si dhe në ndërmarrjen në varësi të Këshillit. Me një transfertë të pakushtëzuar prej 63 milionësh, shumë më të vogël edhe se granti i akorduar për Qarkun e Gjirokastrës, që është dhe qarku më i vogël në vend, Durrësi do të planifikojë në muajin e ardhshëm shkurtime të ndjeshme dhe një ristrukturim të organigramës. Burime nga Këshilli i Qarkut bëjnë të ditur se situata është mjaft delikate. Përtej vështirësive financiare, drejtuesit e Këshillit të Qarkut duhet të mendojnë dhe për motivimin e largimeve nga puna, pasi personeli gëzon statusin e nëpunësit civil. Edhe vitin e kaluar Këshilli i Qarkut miratoi një strukturë të reduktuar të administratës me 9 specialistë, si largimin nga puna të 8 punonjësve të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale. Këshilltarët e qarkut kundërshtuan shkurtimin e punonjësve të kësaj ndërmarrjeje për shkak të nevojave për mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe pastrimin e kanaleve të ujërave të larta në nivel qarku. Ndërkaq, ky vit sjell një tjetër rishikim të stafit për shkak të gjendjes ekonomiko-financiare, rishikim që pritet të kryhet gjatë muajit shkurt. V. Q.