Pesë pjesëtarë të një familjeje janë shpëtuar nga Policia Kufitare në Himarë, pasi rrezikuan të mbyteshin në det si pasojë e një defekti në mjetin e tyre lundrues dhe kushteve të këqija atmosferike. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, kur Policia u njoftua se disa persona që ndodheshin në një mjet lundrues pranë plazhit të Jalës kishin nevojë urgjente për ndihmë.

Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare me mjetin e tyre lundrues, të cilët pas kërkimeve në det arritën të lokalizonin mjetin e dëmtuar.

Në bord ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre. Të pestë u transportuan drejt Pikës së Kalimit Kufitar Himarë dhe, sipas policisë, ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.

Familjarët falënderuan efektivët e Policisë Kufitare për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale që u dha ndihmë në një situatë të rrezikshme.

Policia Kufitare apelon për të gjithë pushuesit dhe drejtuesit e mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e sigurisë, të përdorin pajisjet mbrojtëse dhe të shmangin daljet në det gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike.