
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Drenovë kishte konflikt në një familje, dhe se i zoti i banesës posedonte armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe falë veprimeve të shpejta parandaluan përshkallëzimin e konflikit, që mund të sillte pasoja të rënda për jetën. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin P.Th.,66 vjeç, i cili po konfliktohej me djalin e tij.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, municione luftarake, si edhe pajisje shpërthyese. Materialet në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale "Dhuna në familje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit".