Një aksident tragjik i ndodhur në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Dukat–Orikum i ka marrë jetën një personi dhe ka lënë pesë të tjerë të plagosur.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:10 në zonën e Fushë-Dukatit, ku një furgon që transportonte punëtorë ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në një kanal anësor. Dyshohet se mjeti ishte nisur nga Tirana me destinacion bregdetin.
Sipas informacioneve paraprake, hetuesit po verifikojnë disa pista mbi shkakun e aksidentit. Dyshimet e para lidhen me një gjendje përgjumjeje të drejtuesit të mjetit ose me një problem të papritur shëndetësor, si arresti kardiak. Shkaqet e sakta do të përcaktohen pas përfundimit të ekspertizës.
Viktima e aksidentit është identifikuar si Ilir Haka, 52 vjeç. Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik.
Për shkak të dëmtimeve të mëdha që pësoi furgoni, ekipet e zjarrfikëses u detyruan të përdornin pajisje prerëse për të çliruar të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar në kabinën e deformuar të mjetit.
Pas nxjerrjes nga furgoni, të lënduarit u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin trajtim mjekësor. Trupi i viktimës u dërgua në morg për kryerjen e procedurave përkatëse.
Policia Rrugore dhe grupi hetimor vijojnë punën në vendin e ngjarjes për të dokumentuar rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të këtij aksidenti fatal.
