Shoqata Shqiptare e Bankave ka njoftuar se disa degë bankare dhe bankomate janë dëmtuar gjatë protestave të ditëve të fundit në vend, por kjo sipas saj nuk cenon depozitat e klientëve.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat AAB bën të ditur se për shkak të situatës dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe punonjësve, një pjesë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh ose me orar të kufizuar, duke shkaktuar vështirësi dhe vonesa në ofrimin e shërbimeve.

AAB u kërkon klientëve të konsultojnë njoftimet zyrtare të bankave përpara se të paraqiten në degë dhe, kur është e mundur, të përdorin shërbimet bankare digjitale për pagesa dhe transferta.

Shoqata thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe se dëmtimet e ambienteve apo pajisjeve nuk cenojnë, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar.

Gjithashtu AAB u bën thirrje qytetarëve të ruajnë sistemin bankar dhe infrastrukturën financiare, duke theksuar se bankat do të vijojnë përpjekjet për rikthimin e shërbimeve normale sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.

DEKLARATË PËR SHTYP

Veprimtaria bankare dhe protesta

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, informon publikun se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale.

Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar. Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t’u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë. Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre.

Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distancë.

AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.

Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.

Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.

SHOQATA SHQIPTARE E BANKAVE