Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile në bashkëpunim me sekretariatin Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI Albania) organizuan një tryezë të rrumbullakët mbi “Transparencën dhe llogaridhënien në industrinë nxjerrëse në Shqipëri”.
Kjo tryezë, e zhvilluar për herë të parë, ofroi mundësi për të rritur dialogun me shoqërinë civile mbi transparencën dhe për të forcuar bashkëpunimin mbi këto çështje.
Aktorët e shoqërisë civile të cilët ishin pjesëmarrës në këtë takim evidentuan nevojën për rritje të mëtejshme të transparencës në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare si dhe theksuan nevojën për të përmirësuar kuadrin ligjor sa i përket dhënies së informacionit për mënyrën se si shfrytëzohen pasuritë natyrore nga kompanitë që operojnë në këtë sektor.
Në këtë takim, u diskutua për mënyrat se si mund të nxitet angazhimi aktiv i organizatave të shoqërisë civile në konceptimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e procesit të rritjes së transparencës në industrinë nxjerrëse. Gjithashtu diskutimi u përqendrua mbi faktorët ligjorë apo rregullatorë të cilët paraqesin pengesa dhe vështirësojnë pjesëmarrjen e lirë dhe aktive të shoqërisë civile në zbatimin e misionit të EITI. Më tej, përfaqësues të OJF-ve diskutuan edhe mbi mënyrat se si mund të sigurohet struktura e duhur mbështetëse ligjore, procedurale si dhe praktike që do të ndihmonte organizatat e shoqërisë civile në nxitjen e dialogut për zbatimin e principeve të EITI.
Në javët në vazhdim EITI Albania do të publikojë dhe raportin vjetor për këtë industri në Shqipëri.
28 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)