Avokati Alban Duraj ka reaguar pas shoqërimit në komisariat të 20 protestuesve të ndaluar gjatë tensioneve të regjistruara para Kuvendit.

Në një deklaratë për mediat, Duraj kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve, duke pretenduar se ndalimet janë të paligjshme dhe se qytetarët kanë ushtruar vetëm të drejtën e tyre për të protestuar.

“I bëjmë thirrje që të lirohen në mënyrë të menjëhershme. Jemi duke përgatitur kallëzimin penal dhe të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi. Protestuesit nuk kanë bërë asnjë shkelje, përveç ushtrimit të së drejtës së tyre për të protestuar”, deklaroi ai.

Avokati akuzoi policinë për përdorim force ndaj protestuesve dhe tha se shoqërimet janë kryer me urdhra politikë. Sipas tij, gjatë ndërhyrjes efektivët kanë ushtruar dhunë me shkopinj gome ndaj qytetarëve.

Duraj u bëri thirrje drejtuesve të policisë, Ministrisë së Brendshme dhe prokurorisë që të ndërhyjnë për lirimin e të ndaluarve, ndërsa kërkoi reagim edhe nga kryeministri Edi Rama lidhur me arrestimet.

Ai paralajmëroi gjithashtu se protesta e paralajmëruar për datën 4 pritet të jetë më e madhe, duke shtuar se sipas tij policia kishte një plan për të penguar aktivistët kryesorë të tubimit.

“I bëjmë thirrje që të lirohen në mënyrë të menjëhershme. Jemi duke përgatitur kallëzimin penal, të mbajnë përgjegjësi të gjithë. I bëjmë thirrje policisë, komisariatit, ministrit të Brendshëm që ka për detyrë të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin. Jemi mësuar në këto 13 vite si Rama është sjellë me ministrat e vet, të kenë një ndërgjegje së paku qytetare dhe pastaj ligjore. Ju lutem të respektoni ligjin, kallëzimi është gati, prokuroria do fillojë hetimin. Janë shkelur të gjitha kriteret kur arrestohet dikush në flagrancë. Çfarë kanë bërë protestuesit? Asgjë, përveç respektimit të së drejtës së tyre për të protestuar dhe asnjë shkelje.

Ne nuk na kanë dhënë asnjë lloj përgjigjeje. Ata presin urdhra që janë politikë. Asnjë vepër penale nuk është kryer nga protestuesit. Ka qenë policia ajo që ka goditur protestuesit. Punonjësit kanë qenë me shkopinj gome, duke ushtruar dhunë, në numër shumë të madh. Përveç lirimit që e kërkojmë nga drejtori i policisë, kërkojmë edhe nga prokurori, cili është prokurori që ka këtë çështje, që të urdhërojë në mënyrë të menjëhershme lirimin. Thirrja jonë shkon në dy rrugë, drejtorit të policisë dhe ministrit. Kërkojmë që Rama të reagojë lidhur me këto arrestime të paligjshme. Ia kërkojmë Ramës në mënyrë që protestuesit të shkojnë te familjet e tyre dhe ta vijojnë jetën normalisht.

Kjo kërkesë është edhe për të vazhduar protestën, ajo e datës 4 do të jetë një nga më të mëdhatë. Policia ka pasur plan për të penguar aktivistët kryesorë të kësaj proteste”, u shpreh avokati i protestuesve, Alban Duraj.