Pas ngjarjes së rëndë ditën e djeshme në aeroportin e Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, AMP ka nisur hetimet ndaj shoqëruesit të tij, Muçi Shaljanit.
AMP gjithashtu ka njoftuar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer. Gilmando Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil.
Reagim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve.
