Arkitekti i njohur danez Bjarke Ingels është shpallur fitues i garës ndërkombëtare për projektimin e “Parkut të Besimit” (Faith Park) në Tiranë. Në këtë garë morën pjesë 12 finalistë nga vende të ndryshme si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim, ku theksoi rëndësinë e këtij projekti dhe vështirësinë e përzgjedhjes së fituesit.

“Ishte po kështu një kohë nga e cila mësuam të gjithë. Kishte shumë gjëra që duheshin diskutuar dhe mësuar, ndërkohë që ndiqnim çdo projekt. Në fund ngecëm, sepse ishte e vështirë të merrnim një vendim. Doja të merrja mendimin e disa prej jush dhe përpara gjeta dilemën: njëri duhej të fitonte. Nuk është se nuk jemi të bindur, jemi mjaft të bindur, por, në të njëjtën kohë, do të doja të bënim më shumë parqe. Uroj që të kremtojmë së bashku çeljen e këtij parku, i cili është diçka për të cilën do të jemi shumë krenarë“, u shpreh Rama.

Sipërfaqja ku do ndërtohet “Parku i Besimit” është 210 mijë metër katrorë buzë luginës së Erzenit. Projekti duhet të ideohet për të pritur 30 mijë vizitorë në vit, si dhe brenda tij do të ketë struktura që do të shërbejnë për evente të vogla por edhe për ngjarje me kapacitet deri 500 persona. Çdo gjë e ndërtuar brenda këtij parku do të jetë me simbolet e secilit besim.

Brenda parkut do të ndërtohen 100 ‘streha mikpritëse’ që vizitorët të kalojnë një ‘mirëqenie spirituale të lartë’. Brenda parkut do të ketë edhe restorante të përshtatura me gatimet tradicionale të secilës komunitet fetar, si dhe do të ketë një pavijon me pemë e bimë që kanë rëndësi të veçantë për besimet fetare. Po ashtu brenda parkut do të ngrihet ‘Muzeu i Kujtesës’ kushtuar viktimave të persekutimit fetar nën regjimin komunist.