Administratori i një kompanie ndërtimi është shpallur në kërkim, ndërsa firma është gjobitur me 3 mln lekë për shkelje të rënda mjedisore në Elbasan.
Hetimet janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, të cilat njoftuan se referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim biznesmenin nga kryeqytetit. Nga kontrolli janë konstatuar mbetje metalike dhe konstruksione skrapi të patrajtuara sipas ligjit.
“U referuan materialet për hetim në Prokurori për shtetasin E. R., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi në subjektin që ai administron për ndërtim dhe konstruksione metalike, në fshatin Bradashesh, u konstatuan mbetje skrapi të patrajtuara sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kontrolli u ushtrua në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ndërsa për shkeljet e konstatuara u vendos masë administrative prej 3 000 000 lekësh.
“Po punohet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, sqaroi policia vendore.

