Në tetë qytete, pagesa do të jetë më e lartë. ISKSH: Kanë punuar më mirë
Deri në fund të kësaj jave mjekët, infermierët dhe personeli mbështetës në qendra shëndetësore, poliklinika, në të gjithë vendin do të marrin shpërblim përveç pagës mujore. Ky është bonusi i gjashtëmujorit të parë për vitin 2012-të. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor u ka bërë “dhuratë” bluzave të bardha, për pushimet e verës, një shpërblim deri në një rrogë.
Pagesa dysheme për një mjek që punon në qendër shëndetësore apo poliklinikë është rreth 40 mijë lekë të reja, por në varësi të vjetërsisë së punës, kushteve dhe zonës ku ushtron profesionin përfitimi është edhe më i madh.
Punonjësit e qendrave shëndetësore të rajoneve të Tiranës, Vlorës, Dibrës, Korçës, Elbasanit, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, do të kenë përfitime më të larta, pasi kanë realizuar më mirë treguesit e cilësisë e performancës.
Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, paraqiti të dhënat e realizimeve, sipas të cilave do të bëhet dhe shpërndarja e pagesës shtesë për stafin e qendrave shëndetësore.
“Mbështetur në realizimin e treguesve për 6-mujorin e parë të vitit 2012, rezulton se 414 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë deri në një pagë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë”, tha Hana.
Numri i planifikuar i vizitave nga mjekët e përgjithshëm e të familjes në shkallë republike për 6/mujorin, është realizuar rreth 91.6 %, ndërsa treguesi i cilësisë apo bonusi është realizuar rreth 58%.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si rezultat i rritjes së numrit të vizitave, ka një rritje sidomos indikatori që lidhet me ndjekjen e fëmijëve me rreth 4%, të sëmurëve me hipertension me rreth 9%, si dhe indikatori i edukimit në vazhdim. Qendrat shëndetësore kanë arritur të tërheqin rreth 22 milionë lekë më shumë si rezultat i rritjes së numrit të vizitave, ndërsa si rezultat i plotësimit të indikatorëve të bonusit, kanë tërhequr 70 milionë lekë më shumë.
Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen rreth 320 milionë lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të qendrave shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 janë mjekë familjeje dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë, sanitarë, shoferë, ekonomistë.
Fondet për përballimin e pagesave shtesë janë transferuar tashmë në llogarite bankare të qendrave shëndetësore, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre. Lorina Mixha
Sa do marrin mjekët dhe infermieret
35 mijë lekë infermier me arsim të mesëm
38 mijë lekë infermier me arsim të lartë
40 mijë lekë kryeinfermier
53 mijë lekë paga bruto e një mjeku
80 mijë lekë paga e një mjeku në zonat malore
55 mijë lekë merr mesatarisht një mjek që ka 25 vite, vjetërsi pune
22 milionë lekë
Qendrat shëndetësore kanë arritur të tërheqin rreth 22 milionë lekë më shumë si rezultat i rritjes së numrit të vizitave
Do marrin më shumë mjekët e:
Tiranës
Vlorës
Dibrës
Korçës
Elbasanit
Beratit
Shkodrës
Gjirokastrës