Shqiptarët rezultojnë mes të burgosurve që kanë kryer numrin më të madh të telefonatave nga burgjet në Mbretërinë e Bashkuar, sipas statistikave të publikuara nga Ministria britanike e Drejtësisë, të cilat kanë rikthyer debatin mbi aktivitetin e grupeve kriminale të organizuara.
Të dhënat tregojnë se vetëm tetë të burgosur shqiptarë kanë realizuar 37,307 telefonata, me një mesatare prej rreth 207 thirrjesh në ditë për secilin. Në total, komunikimet e lidhura me shtetas shqiptarë kanë arritur në 157,962 telefonata, një shifër që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve dhe ekspertëve.
Sipas raportimit të The Telegraph, pas shqiptarëve renditen të burgosurit irlandezë, të cilët kanë kryer 73,541 telefonata nga 678 persona, ndërsa shtetasit amerikanë kanë regjistruar 57,867 thirrje nga 68 të dënuar.
Statistikat janë komentuar edhe nga Ian Acheson, ish-guvernator burgu dhe ish-këshilltar i qeverisë britanike për çështjet e ekstremizmit në burgje. Ai u shpreh se volumi i lartë i komunikimeve nga të burgosurit shqiptarë meriton verifikim të kujdesshëm.
Sipas tij, grupet kriminale shqiptare njihen për ndikimin e tyre në trafikun e drogës edhe brenda sistemit penitenciar britanik, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e telefonatave të jenë përdorur për koordinimin e aktiviteteve kriminale jashtë burgut.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur ish-sekretari britanik i Drejtësisë, David Lammy, ka paralajmëruar se drejtues të organizatave kriminale vijojnë të ushtrojnë ndikim edhe nga qelitë, duke drejtuar aktivitetet e grupeve të tyre.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të dronëve për futjen e drogës, telefonave celularë dhe armëve në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Sipas autoriteteve britanike, pjesa më e madhe e shtetasve shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar janë përfshirë në çështje që lidhen me trafik droge dhe vjedhje.
Edhe Agjencia Kombëtare Kundër Krimit (NCA) ka raportuar më herët se grupet kriminale shqiptare kanë fituar një rol të rëndësishëm në kultivimin e kanabisit në Britani, duke zëvendësuar në disa zona organizatat vietnameze që dominonin më parë këtë aktivitet.
Sipas NCA-së, kultivimi i kanabisit në ambiente të mbyllura është kthyer në një biznes me fitime të larta, pasi shmang rreziqet që lidhen me transportin ndërkombëtar të drogës.
Statistikat mbi telefonatat u publikuan nga Nick Timothy, i cili ka kërkuar që qeveria britanike të bëjë publike të dhëna më të detajuara mbi kriminalitetin sipas kombësisë së autorëve.
Ai argumentoi se opinioni publik duhet të ketë më shumë transparencë për përfshirjen e shtetasve të huaj në veprat penale, duke shtuar se jo të gjitha komunitetet paraqesin të njëjtin nivel rreziku.
Sipas tij, numri i telefonatave të lidhura me të burgosurit shqiptarë rezulton më i lartë sesa ai i regjistruar së bashku për disa shtete të tjera, mes tyre SHBA, Kanadaja, Japonia, Italia, Gjermania dhe Franca.
Nga statistikat e publikuara, vendet me numrin më të lartë të telefonatave nga burgjet britanike renditen si më poshtë:
- Irlanda – 73,541
- SHBA – 57,867
- Polonia – 37,691
- Rumania – 37,307
- Franca – 33,844
- India – 32,581
- Spanja – 30,668
- Italia – 28,110
- Gjermania – 27,278
Autoritetet britanike sqarojnë se të burgosurit mund të telefonojnë vetëm numra të miratuar paraprakisht dhe se çdo komunikim regjistrohet. Në rastet kur ekzistojnë dyshime për veprimtari kriminale, telefonatat monitorohen nga shërbimet përkatëse.
Megjithatë, një zëdhënës i Shërbimit të Burgjeve theksoi se këto statistika nuk mund të interpretohen si provë e drejtpërdrejtë e aktivitetit kriminal, pasi të dhënat nuk identifikojnë domosdoshmërisht kombësinë e personit që kryen çdo telefonatë dalëse. Ai shtoi se kostot e telefonatave mbulohen nga vetë të burgosurit dhe se sistemi funksionon nën rregulla të rrepta kontrolli.
