
Policia e Tiranës organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin e koduar “Tuneli”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
•R.Gj., 24 vjeç dhe I.P., 24 vjeç., të dy banues në Tiranë. Gjatë operacionit , shërbimet e Policisë në rrugën “Frosina Plaku”, në hapësirën midis një blloku pallatesh, e cila quhet si zona e “Tunelit”, kanë konstatuar dy personat e lartpërmendur të cilët në bashkëpunim me njeri-tjetrin, po shisnin lëndë narkotike në doza të vogla .
Pas kontrollit, në vendin ku u konstatuan këta shtetas, shërbimet e Policisë kanë gjetur 80 doza me lëndë të dyshuar kanabis sativa, si dhe shumën prej 62.000 lekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 aparate celular.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.