Një 48-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi dyshohet për kultivim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në zonën e Fushë-Kuqes.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës së tij janë gjetur 144 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar gjithashtu se shtetasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike të llojit heroinë dhe furnizonte persona të tjerë.

Gjatë kontrollit në banesë, policia ka sekuestruar 776 gramë lëndë të dyshuar heroinë, si dhe një peshore elektronike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.