Policia e Korçës shoqëron dy pronarët 


Viktima Maksim Kodra ka qenë duke përgatitur lëndën plasëse, kur ka ndodhur shpërthimi


Shpërthimi i eksplozivit i ka marrë jetën një punëtori në gurore, ndërkohë që policia ka shoqëruar pronarët e biznesit. 61-vjeçari ka humbur jetën në fshatin Symiz të Korçës, teksa i ka shpërthyer një kapsollë me dinamit në vendin ku punonte. Sipas policisë lokale, viktima është Maksim Kodra, nga fshati Kolanec i Korçës, i cili ishte duke përgatitur lëndën plasëse të dinamitit 200 metra larg gurores, teksa ka ndodhur shpërthimi. Ka qenë një tjetër punëtor, ai që e ka parë nga afër ngjarjen dhe e ka transportuar me urgjencë në spitalin e Korçës 61-vjeçarin. Por, pavarësisht ndihmës mjekësore, ai nuk ka mundur dot të mbijetojë për shkak të plagëve të marra në të gjithë trupin. Policia, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, bën të ditur se ka shoqëruar dy pronarët e gurores në Symiz, ndërsa konfirmon se gurorja ishte e licencuar. Gjithashtu, policia bën me dije se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e mungesës së sigurimit teknik në punë. Ndërkaq, në pyetje janë marrë edhe kolegët e viktimës, të cilët kanë treguar me detaje se çfarë kishte ndodhur. Gjatë gjithë natës, hetimet kanë vijuar në qytetin juglindor, ndërkohë që sot pritet të merren masat e nevojshme dhe të nxirren konkluzionet paraprake të hetimit. Kjo nuk është hera e parë që për shkak të kushteve të ndryshme të punës, punonjësit humbasin jetën në detyrë, ndërkohë që biznesi i guroreve ka shkaktuar viktima të njëpasnjëshme në vite.