Një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga flakë të mëdha, ka shkaktuar panik mbrëmjen e së shtunës në një ndërtesë banimi në Menziken të Zvicrës. Si pasojë e ngjarjes, një person ka mbetur i plagosur rëndë, duke pësuar djegie të shumta në trup.

Sipas raportimeve të medias zvicerane 20 Minuten, shpërthimi ka ndodhur në një prej garazheve individuale të pallatit. Forca e tij ka qenë aq e madhe sa ka shkëputur portën e garazhit, ndërsa menjëherë më pas ambienti është përfshirë nga zjarri.

Banorët e ndërtesës kanë përjetuar momente frike dhe pasigurie, duke braktisur me nxitim apartamentet e tyre.

Një 47-vjeçar i quajtur Viliam, i cili ishte ndër të parët që shkoi pranë vendit të ngjarjes, është përpjekur të ndërhyjë me një fikëse zjarri për të penguar përhapjen e flakëve. Megjithatë, situata është përkeqësuar me shpejtësi.

Ai ka rrëfyer se zjarri sa vinte e përhapej, ndërsa pamjet që kishte përpara i dukeshin të pabesueshme.

Edhe një banore 39-vjeçare ka përshkruar momentet e tmerrit. Sipas saj, dy shpërthime të forta e detyruan të largohej menjëherë nga banesa, pa pasur kohë të merrte as xhaketën. Gruaja qëndroi për disa orë jashtë ndërtesës, në pritje të përfundimit të ndërhyrjes së zjarrfikësve, të cilët më pas i siguruan një batanije.

Shqiptari rrëfen momentet e tmerrit: M’u rikthyen kujtimet e luftës në Kosovë

Mes dëshmitarëve të ngjarjes është edhe Fadili, një 49-vjeçar që banon në katin e tretë të pallatit.

Ai ka treguar se rreth orës 18:30 po kthehej nga një shëtitje, kur u përball me zhurmën e një shpërthimi të fuqishëm. Vetëm pak çaste më vonë dëgjoi një tjetër shpërthim, ndërsa tymi nisi të ngrihej deri në katin ku ndodhej apartamenti i tij.

Sipas 49-vjeçarit, situata u bë edhe më dramatike kur nga zona e përfshirë nga flakët u dëgjuan britma dëshpëruese.

Ai ka treguar se një person kërkoi ndihmë tri herë, ndërsa askush nuk e kishte të qartë se çfarë po ndodhte.

Për Fadilin, ato momente sollën në kujtesë përjetimet e luftës në Kosovë gjatë viteve ’90.

Ai u shpreh se frika, konfuzioni dhe britmat e njerëzve i kujtuan skenat e asaj periudhe të vështirë. Sipas tij, thirrjet për ndihmë ishin aq tronditëse sa krijonin përshtypjen se dikush po luftonte për jetën.

I plagosuri transportohet me helikopter në spital

Menjëherë pas alarmit, në vendngjarje mbërritën ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet e urgjencës.

Një burrë, i cili kishte pësuar djegie të rënda në pjesë të shumta të trupit, mori ndihmën e parë nga personeli mjekësor. Për shkak të gjendjes së tij, u vendos transportimi me helikopter drejt spitalit, përmes shërbimit të shpëtimit ajror Alpine Air Ambulance.

Fadili e përshkroi gjendjen e të plagosurit si tepër të rëndë, duke shprehur keqardhje për të dhe familjen e tij.

Ndërkohë, autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Policia ka konfirmuar se ende nuk është përcaktuar shkaku i shpërthimit dhe i zjarrit, ndërsa specialistët po punojnë për të sqaruar se çfarë e shkaktoi incidentin.