
Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lushnjë. Sasia e lëndës plasëse është vënë në dyqanin e Arjan Aliços, një person me precedent të theksuar kriminal, i njohur edhe si ish-anëtar i bandës së Aldo Bares.
Në ambientin ku është vendosur tritoli, më parë ka shërbyer si lokal dhe është dëmtuar vetëm pjesa e jashtme e qepenit. Pronari i lokalit Arjan Aliço, aktualisht ndodhet në burg i dënuar për tentativë vrasje së bashku me të birin, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes nuk banojnë aty prej vitesh.
Në vitin 2016, Arjan Aliço në bashkëpunim me djalin e tij Xhino Aliço, kanë plagosur me thikë dhe sende të forta, personin me inicialet J. S., duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në trup dhe në kokë, raporton “Shqiptarja”.
Policia sakaq ka nisur hetimet për të identifikuar personin që e ka vendosur dhe për të zbardhur ngjarjen.
“Rreth orës 03:25, në lagjen ‘Skënder Libohova’ Lushnjë, në derën e jashtme të një ambienti që ka shërbyer më parë si dyqan, në pronësi të shtetasit Arjan Aliço, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse. Policia njofton se për pasojë është dëmtuar vetëm dera (qepeni) i këtij ambienti. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
