Tiranë
Një sasi eksplozivi u hodh në banesën e ish-futbollistit, asnjë i lënduar
Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në Tiranë në mesnatë, në banesën e ish-futbollistit Skerdi Bejzade. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, teksa në banesë gjendej vetëm nëna e Bejzades. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë filluar hetimet për mekanizmin apo për pistat hetimore. Në pyetje janë marrë disa banorë të zonës që kanë lajmëruar të parët forcat e policisë, teksa kanë pohuar se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm, por nuk kanë parë autorët e mundshëm, si pasojë edhe e errësirës.
Policia thotë se ka pyetur edhe pjesëtarë të familjes Bejzade, të cilët prej vitesh jetojnë në banesën në fjalë, në rrugën “Ibrahim Kazazi”, në afërsi të zonës së quajtur “Medreseja”. Ata kanë pohuar se nuk kanë pasur konflikte, ndërsa policia dyshon se ngjarja mund të hetohet edhe për konfliktet e pronësisë. Gjithsesi, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia verifikoi mekanizmin, ndërsa të dhënat flisnin se autorët e kanë hedhur sasinë e tritolit në oborr.
Në pyetje është marrë edhe nëna e ish-futbollistit Bejzade, e cila ka treguar se ka dëgjuar vetëm zhurmë, ndërsa nuk ka parë autorët, pasi ka qenë në gjumë. Bejzade ka luajtur futboll deri në vitin 2011 me Partizanin, ku së fundmi ka qenë edhe lojtar-trajner. Më parë ka luajtur me Elbasanin, Vllazninë, ndërsa ka pasur edhe një eksperiencë në Gjermani, përkatësisht te skuadra e Arminia e Hanoverit. Karrierën e nisi te Dinamo në vitin 1991, ndërsa është kthyer në skuadrën e parë edhe në vitin 1996. Ai ka luajtur edhe në qytetin e tij të lindjes, Elbasanin, në vitet 2005-2006 dhe 2007-2009.
Në vitin 2011, pasi la Partizanin, Bejzade ka qenë trajner edhe i ekipit të Kamzës.