Konflikti i Sirisë
Së paku 30 vetë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga pesë bomba që shpërthyen në qendër të qytetit të Alepos në Siri, duke shkatërruar shumë ndërtesa, një klub ushtarakësh dhe një hotel. Media qeveritare raportoi mbi ngjarjen, duke treguar përmasat reale të shpërthimit. Atentati u krye në një zonë të qytetit, të kontrolluar nga qeveria, e cila po lufton prej muajsh kundër rebelëve. Këta të fundit kanë filluar një ofensivë të re, me synimin për të kontrolluar përfundimisht këtë qytet. Qeveria e Sirisë, nga ana e saj, ka njoftuar se Presidenti ka urdhëruar mijëra trupa të tjera për t’u dërguar në Alepo. Një televizion pro qeverisë raportoi se Asad ka fluturuar me helikopter mbi Alepo dhe ka drejtuar personalisht operacionin ushtarak.
Pamjet e transmetuara nga shpërthimi qenë rrëqethëse. Ndërtesa të tëra qenë rrafshuar dhe shumë njerëz gjendeshin të vrarë. Rebelët nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, duke thënë se bombat mund të jenë vendosur nga vetë qeveria për të diskretituar opozitën.
“Zona ku ndodhën shpërthimet është shumë fort e kontrolluar nga ushtria qeveritare. Është shumë e çuditshme se si makinat e mbushura me tritol mbërritën deri aty”, komentoi një aktivist vendas.