Një shpërthim i fuqishëm në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit ka shkaktuar një viktimë dhe tetë persona të plagosur. Ngjarja ndodhi mesditën e sotme në lagjen “Beqir Dardha”, ku shpërthimi në një prej apartamenteve shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë.
Viktima është një 83-vjeçar, i cili është gjetur pa shenja jete në vendngjarje. Ndërkohë, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, tetë persona, mes tyre edhe një fëmijë, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Forca e shpërthimit ka qenë e madhe, duke shkaktuar shembjen e mureve të apartamentit dhe dëmtimin e një pjese të shkallëve të pallatit. Banorët e zonës kanë përjetuar momente paniku, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës.
Pas ngjarjes, strukturat përkatëse nisën evakuimin e banorëve dhe ndërhyrjen për menaxhimin e situatës. Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri, ndërsa spitali ka mobilizuar kapacitetet për trajtimin dhe monitorimin e të plagosurve.
Dyshimet paraprake për shkakun e shpërthimit lidhen me një bombol gazi, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Grupet hetimore po punojnë për të zbardhur rrethanat.
