Pallati i dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm i gazit në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan është i pabanueshëm dhe duhet të shembet. Kështu deklaroi drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, pas inspektimit të objektit, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën 10 të tjerë.

Shkrepa bëri të ditur se pallati është ndërtuar në vitet ’70 dhe ka një strukturë me soletë SAP dhe tulla silikate. Sipas saj, objekti ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e valës së goditjes nga shpërthimi, por edhe nga zjarri që pasoi. Drejtoresha theksoi se ndërtesa duhet të shembet dhe se deri atëherë duhet të merren masa të menjëhershme sigurie. Ajo sqaroi se njëri seksion i pallatit nuk është prekur nga shpërthimi, ndërsa pjesa tjetër është e pabanueshme dhe e paarritshme për banorët.

Shkrepa nënvizoi se çdo hyrje e banorëve në pjesën që nuk është dëmtuar duhet të bëhet vetëm të shoqëruar nga forcat zjarrfikëse. Gjithashtu, sipas saj, duhet të sigurohen edhe objektet përreth, në një rreze prej 30 metrash nga pallati i dëmtuar.

“Atëherë ky është një objekt, ne kemi konstatuar sot i ndërtuar në vitet 70, është një objekt me një strukturë të solete sap dhe me një tullë silikat. Gjë që dëmtimet që ka pësuar kanë qenë të forta nga goditja e gazit, po edhe nga dëmtimi i zjarrit. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm, do të duhet të merren masa sa më të shpejta për t’u demoluar.
Duhet të merren masa patjetër që edhe banorët të cilët do duhet të hyjnë në objekt, në seksionin e parë kur nuk ka pasur goditje, dhe seksioni i dytë është i pabanueshëm dhe i paaksesueshëm nga asnjë banor. do të duhet të bëhet shoqëruar me forca zjarrefikse. Si edhe masa e dytë që duhet të marrë në një rreze prej 30 metrash do duhet që sigurohen edhe objektet që janë përreth objektit të ndërtuar.”, tha drejtoresha.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja bëri të ditur se banorët që nuk kanë mundësi të qëndrojnë te të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe ushqimet. Sipas tij, Bashkia do të vijojë t’u garantojë strehim deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe marrjen e masave sipas ligjit për emergjencat civile. Duke iu përgjigjur kritikave për kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, kryebashkiaku deklaroi se zjarrfikësja e Elbasanit është ndër më të pajisurat në vend dhe se disponon mjete të reja, të cilat, sipas tij, kanë qenë në gjendje të plotë pune.