Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi me lëndë plasëse i ndodhur një ditë më parë në fshatin Balldren i Vjetër, në Lezhë.
Sipas Policisë së Lezhës, në vijim të hetimeve dhe veprimeve operacionale, është arrestuar në flagrancë një prej të dyshuarve, shtetasi Astrit Avdiaj, 55 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij i dyshuar, shtetasi Ermal Zalla, 35 vjeç, banues në Krujë. Policia bën me dije se po vijon puna intensive në terren për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivet e mundshme të shpërthimit, ndërsa çështja po ndiqet nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të ngjarjes së ndodhur dje, në fshatin Balldren i Vjetër.
Vihet në pranga njëri nga autorët e shpërthimit të lëndës plasëse.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së datës 10.06.2026, në fshatin Balldren i Vjetër, ku në një sipërfaqe toke shpërtheu një sasi e lëndës plasëse (pa shkaktuar dëme), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, vijon hetimi për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
