beqaj-dhe-mjekuMinistri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe një prej mjekëve të djegieve plastike kanë folur nga QSUT-ja në lidhje me gjendjen e të plagosurve nga shpërthimi i ndodhur në Ballsh. Mjeku bëri të ditur se të plagosurit kanë marrë djegie në pjesë të mëdha të trupit, por gjendja e tyre është e qëndrueshme.


“Djegiet janë në sipërfaqe 40%, 2 i kemi problematikë, sepse është mosha e tyre rreth 65 vjeç dhe duan një kujdes më të madh. Do të ndiqen ditë për ditë. Dy të tjerët janë të moshës 44 vjeç, tjetri 53 dhe e përballojnë situatën”, tha mjeku.


Ndërsa ministri Beqaj tha se ata kanë marrë të gjithë kujdesin e duhur  nga ana e mjekëve.


“Ngjarje e  rëndë dhe për fat të keq ka edhe një fatalitet, por edhe të plagosurit kanë marrë në vijmësi kujdesin shëndetësor të domosdoshëm. Rreth orës 2 të mëngjesit kanë mbërritur në QSUT.


Për momentin gjendja është e qëndrueshme, nuk mund të japim një prognozë afatgjatë. Po marrin të gjithë mjekimin e nevojshëm”, deklaroi Beqaj.


Ai komentoi edhe deklaratën e Lulzim Bashës, duke theksuar: “Kryetari i opozitës është mësuar t’ia fusë kuturi dhe se ka problem ta bëjë edhe këtë herë”.


11 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)