Bashkia e Elbasanit ka përgatitur kontratat për bonusin e qirasë për 15 familjet që mbetën të pastreha pas shpërthimit të ndodhur në një pallat në lagjen “Qemal Stafa”.
Kontratat, të cilat parashikojnë një afat fillestar prej një viti, kanë mundësinë e zgjatjes deri në përfundimin e rikonstruksionit të pallatit. Të 15 familjet i kanë nënshkruar tashmë dokumentet përkatëse.
Ndërkohë, pas marrjes së aktit përfundimtar të ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit, Këshilli Bashkiak pritet të miratojë me procedurë të përshpejtuar vendimin për strehimin e banorëve.
Procesi do të realizohet në bazë të ligjit për emergjencat civile. Bashkia ka kryer gjithashtu verifikimin e çmimeve të tregut për të përcaktuar vlerën e qirasë që do të mbulohet nga institucioni deri në sistemimin përfundimtar të familjeve.
