Disa pengjet, përfshirë dhe 2 shqiptarë, janë shpëtuar gjatë operacionit ushtarak në Santa Elena nga ushtria ekuadoriane, së bashku me institucione të tjera shtetërore.
Mësohet se operacioni u zhvillua në një pronë të vendosur në sektorin e Rinconada dhe Ayampe, në provincën e Santa Elena, ku pati shkëmbim zjarri. Gjatë përleshjes, një kriminel i dyshuar u qëllua.
Sipas informacioneve, pas kontrollit të zonës, pesë persona të rrëmbyer u shpëtuan, tre me kombësi ekuadoriane dhe dy shqiptarë. Ushtria ekuadoriane bën me dije se në operacionin ushtarak, u arrestuan katër persona. Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri të tipit pistoletë, 74 fishekë kalibri 9 mm, 6 telefona celularë dhe 1 pako lidhëse plastike. Ndërkohë, personi i qëlluar, ende i paidentifikuar, dyshohet se i përkiste Grupit të Organizuar të Armatosur “Los Choneros”.
Postimi i ushtrisë ekuadoriane:
Ushtria ekuadoriane, në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore, bastisi një fermë të vendosur në zonën Rinconada dhe Ayampe të provincës Santa Elena, ku u prit me të shtëna. Gjatë përleshjes, një i dyshuar si kriminel u vra. Pas kontrollit të zonës, pesë persona të rrëmbyer u shpëtuan: tre ekuadorianë dhe dy shqiptarë. Katër persona u arrestuan në operacionin ushtarak.
Provat e mëposhtme u gjetën në vendngjarje:
– 4 armë zjarri të tipit pistoletë
– 74 fishekë të kalibrit 9 mm
– 6 telefona celularë
– 1 pako lidhëse plastike
I ndjeri, ende i paidentifikuar, dyshohet se i përkiste Grupit të Armatosur të Organizuar Los Choneros. Sendet e konfiskuara dhe të sekuestruara iu dorëzuan autoriteteve kompetente për procedurat përkatëse ligjore.




