Zjarri që përfshiu malin e Krujës është vënë nën kontroll të plotë që prej orës 06:00 të mëngjesit, pas një operacioni të gjerë gjatë gjithë natës për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.

Në zonën e prekur vijon ndërhyrja nga ajri, ku dy helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për neutralizimin e vatrave të mbetura në pjesën e sipërme të malit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacion u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe më shumë se 200 efektivë të Forcave të Armatosura. Forcat punuan gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së përfshirë nga zjarri.

Pas përmirësimit të situatës, pjesa më e madhe e forcave është tërhequr dhe rishpërndarë, ndërsa ekipet në terren vijojnë monitorimin për të shmangur riaktivizimin e vatrave.

Nga flakët është dëmtuar një godinë që shërbente si magazinë e një biznesi. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar dhe asnjë banesë nuk është prekur nga zjarri.

Autoritetet vijojnë të mbajnë nën monitorim zonën, ndërsa ndërhyrja nga ajri pritet të ndihmojë në shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura në majën e malit.