Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndjesë publike pas një deklarate të bërë gjatë fushatës elektorale, ku përmendi termin “autizëm politik”, duke pranuar se kjo shprehje ka qenë e papërshtatshme dhe lënduese për fëmijët me autizëm dhe prindërit e tyre.

“Mirëmbrëma, është vonë, por nuk mund të mos e ndaja këtë reflektim. Të gabosh është njerëzore, por të mos kërkosh ndjesë kur gabon, nuk është burrërore,” u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ai sqaroi se shprehja i ka dalë “krejt pa dashje” nga literatura politike që kishte lexuar më herët dhe pranoi se nuk kishte qenë i vetëdijshëm se konsiderohej e papërshtatshme prej vitesh.

“Kam jo vetëm respekt, por edhe admirim për fëmijët me aftësi speciale,” shtoi ai, duke nënvizuar se përkushtimi i tij ndaj tyre është konkretizuar edhe me një propozim për dyfishimin e mbështetjes financiare për këtë kategori në projektbuxhetin e vitit 2026.

“Mirëmbrëma është vonë por nuk mund të mos e ndaja dot këtë reflektim. Të gabosh është njerëzore, por të mos kërkosh ndjesë kur gabon nuk është burrërore. Krejt pa dashje kam cenuar sot fëmijët autikë, kam lënduar prindërit e tyre duke folur për autizëm politik. Shprehje që më ka mbetur në mendje nga literatura politike, më ka dalë krejt padashje. Por ja që u desht të gaboja që pastaj të mësoja se prej vitesh konsiderohet e papërshtatshme dhe në fakt me plot të drejtë.

Prandaj kërkoj ndjesë dhe u garantoj se kam jo respekt, por admirim për fëmijët me aftësi speciale, cka më ka shtyrë të nxis dyfishim e mbështetjes së tyre nga qeveria, gjë që e kam thënë do të jetë pjesë e projektbuxhetit të 2026”, tha ai.

View this post on Instagram

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)