Obama po zhvillon bisedime, por kongresmenët po mendojnë për më pas
Presidenti Barack Obama po bën përpjekjet e fundit për një marrëveshje me Kongresin për të shmangur “humnerën fiskale” para datës 1 janar, pra të hënën e ardhshme, por anëtarët e Kongresit duket se po mendojnë në periudhën pas hyrjes në fuqi të taksave më të larta për të gjetur një zgjidhje retroaktive, pra për të shmangur rritjen e taksave me efekt të mëhershëm.
Amerikanët do të përballen me taksa më të larta ndërsa shpenzimet publike do të jenë më të ulëta pas tri ditësh, gjë që sipas ekonomistëve do të mjaftojë për ta zhytur ekonominë në recesion. Demokratët kërkojnë që amerikanët e pasur të pësojnë rritje taksash ndërsa republikanët kundërshtojnë ashpër. Të dyja palët po masin forcat për kompromis si dhe po llogarisin pasojat që mund të kenë me elektoratet e veta, në rast se bëjnë lëshime me tepri. Sipas “Reuters”, anëtarët e Kongresit mendojnë se kompromisi mund të jetë më i pranueshëm nga pikëpamja elektorale në rast se taksat e reja hyjnë në fuqi dhe për këtë arsye po e shtyjnë për më vonë. Analistët e bursave vërejnë se një marrëveshje para 31 dhjetorit tashmë duket e pamundur.
Bisedimet janë shumëplanëshe dhe përfshijnë nevojën për të rritur tavanin e borxhit publik që qeveria është e autorizuar të marrë, programet e mbështetjes së të papunëve të zënë nga kriza e vitit 2008, si dhe taksat e ulëta për të pasurit, të vendosura në mënyrë të përkohshme gjatë kohës së Presidentit Bush.