Policia e Vlorës ka nisur hetimet ndaj një 27-vjeçari, i cili një ditë më parë hyri me forcë në sallën ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak të qytetit. Ngjarja ka shkaktuar tensione mes të pranishmëve dhe ka ndërprerë përkohësisht punimet e këshillit.
Sipas kallëzimit të bërë nga një punonjëse e policisë bashkiake, i riu, i indinjuar dhe i revoltuar, ka shpërthyer verbalisht ndaj anëtarëve të këshillit, duke i ofenduar dhe akuzuar për mashtrime. “Jeni të gjithë mashtruesa!” ka thirrur ai, ndërsa pretendonte se nuk i ishin dhënë paratë për shpronësimin e pronës së tij.
Skena është bërë virale në rrjetet sociale, ku në një video të publikuar dëgjohet qytetari duke thënë: “Avash ti mo!”, ndërsa hap me forcë derën e sallës, duke hyrë në mënyrë të paligjshme gjatë mbledhjes zyrtare.
Pas incidentit, 27-vjeçari është shoqëruar për verifikim dhe ndaj tij janë hapur procedurat hetimore për prishje të rendit publik dhe hyrje pa autorizim në një institucion zyrtar.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe proceduan penalisht, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, shtetasin D. D., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim punonjësja e Policisë Bashkiake Vlorë, shtetasja A. R., 55 vjeçe, se ky shtetas më datë 29.09.2025, ora 11:30, është futur pa leje në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Vlorë, duke ndërprerë zhvillimin e mbledhjes për disa minuta.