Nikolla: Në vijim do të qartësojmë situatën për 18 institucionet e mbyllura
Pas njohjes së diplomave Shqipëri-Kosovë në universitetet publike, javën e ardhshme pritet miratimi i udhëzimit administrativ për njohjen e diplomave edhe në universitetet private. Kjo do të thotë që në vazhdim, pas negociatash disa mujore, shteti shqiptar do të njohë edhe diplomat e shqiptarëve të Kosovës, lëshuara nga institucionet private të arsimit të lartë dhe anasjelltas. Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, dhe homologu i saj në Kosovë, Arsim Bajrami, gjatë një takimi mbi procesin e njohjes së diplomave për studentët nga Kosova, që kanë studiuar në universitetet private në vendin tonë. Ministrja e Arsimit deklaroi se së bashku me ministrin Bajrami është zhvilluar një proces diskutimesh konstruktive në rrugën e standardit që kanë vendosur, atë të bashkëpunimit dhe koordinimit të punëve, në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të jenë së bashku në rrugën e integrimit të arsimit të lartë në hapësirën europiane.
“Ky është një premtim i mbajtur, posaçërisht nga ana e ministrit të Kosovës, për të bërë të mundur ndryshimet ligjore që mundësojnë njohjen e diplomave të studentëve që vijnë nga Kosova për të studiuar në universitetet shqiptare. Ne jemi bashkë, për të mundësuar në një kohë shumë të shpejtë procesin e njohjes së diplomave, duke ofruar jo vetëm siguri në verifikimin e çdo diplome që është lëshuar nga institucionet tona të arsimit të lartë, por duke qartësuar edhe situatën për ato 18-të institucione private që u mbyllën”, deklaroi Nikolla.
Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami, tha se falë bashkëpunimit shumë të mirë me ministren Nikolla është zhvilluar një proces konsultash, i cili po finalizohet për të filluar më pas procesin e njohjes së diplomave të studentëve kosovarë që janë diplomuar në institucionet private të arsimit të lartë në Shqipëri, sepse deri më tani të gjitha diplomat e universiteteve publike janë njohur reciprokisht dhe nuk ka pasur probleme. “Ministria e Kosovës është në fund të procesit dhe që javën e ardhshme do të miratojmë udhëzimin administrativ për njohjen e diplomave për studentët kosovarë që mbarojnë në institucionet e arsimit të lartë privat në Shqipëri”, u shpreh Bajrami. Ministri i Arsimit të Kosovës vlerësoi sistemin e ndërtuar nga Ministria e Arsimit në Shqipëri që qartësoi institucionet private të licencuara çka sipas tij, do të ndihmojë në zhvillimin e procedurave të shpejta administrative për njohjen e diplomave. Më herët, ministri i Arsimit të Kosovës tha se është vendosur një kornizë e mirë bashkëpunimi në të gjitha nivelet e arsimit që, sipas tij, janë një rrugë e qartë drejt suksesit. “Do të krijojmë një sistem plotësisht të lehtësuar të njohjes së diplomave dhe absolutisht, cilado diplomë e njohur në Republikën e Kosovës do të jetë e njohur edhe në Republikën e Shqipërisë, si dhe cilado diplomë universitare që do të njihet nga autoritetet kompetente të Shqipërisë do të jetë në mënyrë automatike e njohur edhe në Republikën e Kosovës”, theksoi ministri i Arsimit të Kosovës.