Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka publikuar sot një mesazh në rrjetet sociale, në kuadër të 180 vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, duke e lidhur figurën e rilindësit me rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Në postimin e tij në “Facebook”, kreu i qeverisë e cilësoi si një “mister të gëzueshëm” faktin që çelja e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian përkon me përvjetorin e lindjes së Naim Frashërit.

Kryeministri Rama e quajti poetin “Shqipëribërësin” e madh dhe udhërrëfyes të aspiratës shekullore të shqiptarëve drejt Europës, duke përmendur shprehjen e njohur të tij: “Dielli që lind andej nga perëndon”.

Rama theksoi se Shqipëria synon që në vitin 2030, kur shënohen 130 vite nga ndarja nga jeta e Naim Frashërit, të jetë pjesë e familjes europiane.

“Eshtë një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.

Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë.

Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar”, shkruan Rama.