Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dënuar sulmin e fundit të rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite, duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë me popullin dhe autoritetet e Mbretërisë saudite.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, kryediplomati shqiptar e cilësoi sulmin, që shkaktoi humbje jete, si një akt të papranueshëm, që kërcënon stabilitetin rajonal dhe rrezikon sigurinë e civilëve.
Hoxha theksoi se sulmet e përsëritura nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, cenojnë përpjekjet për paqe dhe siguri në rajon.
Sipas ministrit, nuk ekziston asnjë justifikim për goditjen e civilëve dhe të infrastrukturës civile, ndërsa përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Në përfundim të mesazhit, Ferit Hoxha u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për popullin dhe autoritetet e Arabisë Saudite.
