Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas sulmit rus me dron në Galați të Rumanisë, duke dënuar ashpër aktin që goditi një ndërtesë banimi dhe la të plagosur civilë, mes tyre edhe një të mitur.
Në deklaratën zyrtare, Shqipëria shprehu solidaritetin e plotë me popullin dhe autoritetet rumune, ndërsa uroi shërim të shpejtë dhe të plotë për të plagosurit.
Sipas Ministrisë, incidenti përbën një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse, duke nxjerrë në pah koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe rrezikun që kjo luftë paraqet për sigurinë e civilëve edhe përtej kufijve ukrainas.
Reagim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galați, Rumani, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.
