Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjatë fjalës së saj në Samitin e Komunitetit Politik Europian, u shpreh se “Shqipëria është Evropë si Italia”.

Ajo theksoi se integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në të mirën e sigurisë së kontinentit. Ndërsa theksoi se po ndërmerren hapa përpara në procesin e ribashkimit të Evropës.

“Është moment i rëndësishëm për kombin shqiptar dhe të gjithë ne. Identiteti europian i Shqipërisë është fakt nga historia. Shqipëria është Evropë si Italia, pavarësisht faktit nëse je pjesë e një organizate të caktuar apo jo. Gjithmonë buzëqesh kur dikush përpiqet të pretendojë se kush është europian e kush nuk është.

Të gjitha shtetet në këtë tryezë janë pjesë e Evropës ashtu si 27 shtetet anëtare. Ne po ndërmarrim një hap përpara në procesin e ribashkimit të Evropës. Zgjerimi do të thotë edhe sfida të reja por jam e bindur që integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në të mirën e sigurisë së Evropës. Fatet tona ndërvaren.”- tha Meloni